Në 9 Janar 2016 Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane në Shqipëri zhvilloi takimin e tij të parë. Në të ishin mbledhur rreth 40 të rinj, të përzgjedhur përmes një procesi të gjatë aplikimi. Detyra ime në këtë takim ishte të ndaja me ta cfarë do të ishte Këshilli Rinor i Ambasadës dhe vizionin tim në këtë vit të parë të drejtimit. Këshillat Rinor të Ambasadës Amerikane ekzistojnë në më shumë se 65 shtete. Cdo Këshill Rinor drejtohet dhe adminstrohet nga të rinjtë e vendit ku themelohet dhe është strukturë që ka një lidhje të ngushtë me Ambasadën Amerikane të atij vendi, edhe pse nuk është pjesë e saj. Në këtë takim ndava objektivat kryesorë të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, strukturën që mendonim do ti shërbente më mirë këtyre objektivave si edhe parimet e përgjithshme të organizatës.

Disa muaj para 9 Janarit, kisha ideuar një strukturë të vecantë sesi Këshilli do të funksiononte dhe një nga idetë bazë ishtë se struktura duhet ti shërbente tre funksioneve kryesore: zhvillimit të pavarësisë së drejtimit, kompentencës dhe integritetit të të rinjëve në Shqipëri. Për këtë arsye, të rinjtë do të grupoheshin sipas dëshirës dhe aftësive të tyre në një nga departamentet e Këshillit dhe secili department do të kishte një drejtues. Kjo do ti jepte disa prej të rinjëve përvojën e tyre të parë të drejtimit të një fushe të caktuar, por edhe anëtarët e tjerë të departamentit do të kalonin sprovat e punës në grup, ngritjes së rrjetit dhe fondeve, komunikimit me departamentin dhe jashtë tij, shkrim dhe realizim projektesh. Bordi gjithashtu përbëhej nga të rinj, të cilët në bashkëpunim me departamentet vendosin objektiva të përbashkëta dhe pastaj punonin për ti realizuar ato. Kjo do të ishtë një organizatë me të rinj, për të rinjtë, që jo vetëm do të kryente aktivitete, por mbi të gjitha do të shërbente si inkubator ku keta të rinj do të rriteshin në ushtrimin e aftësive, punës në grup dhe drejtimit. Ishte pikërisht konceptimi i Këshillit si një hapësirë ku të rinjtë mund të ndiheshin të lirë të realizonin idetë e tyre, të merrnin iniciativa, të bashkëpunonin, dhe nga bashkëveprimi i tyre të mund të sillej risi së jashtmi, që e bente këtë organizatë ndryshe nga të tjerat (përvec emrit)

Me shumë siguri që shpjegimi se Këshilli do ju takonte vet të rinjëve dhe se do të ishin ata qe do e drejtonin nuk u besua nga të gjithë. Kjo u duk në muajt e parë, ku një pjesë e anëtarëve u zhgënyen disi që përfaqësuesit e Ambasadës nuk po ju jepnin asnjë urdhër apo udhëzim se cfarë duhet të bënin; mungesave e këtyre “direktivave” nga Ambasada bëri shumë anëtarë konfuzë. Eksperienca e drejtimit pa udhëzime nuk ishte e lehtë për të gjithë, e kishte edhe nga ata anëtarë që hoqën dorë nga kjo ndërmarrje. Edhe pse të rinjtë e përzgjedhur mund të kishin patur eksperienca të mëparshme, marrja e iniciativës, mbledhja e të rinjëve të grupit, ndarja e idesë, realizimi konkret i saj ishin sfida për të gjithë ne. Për cdo të ri që drejtonte ishte presioni të ndërtonte modelin e tij origjinal të drejtimit. Ne nuk kishim qepur nje “xhakete” dhe shtruar zyra ku të rinjtë mund të vinin e të drejtonin. Përkundrazi, secili që donte të drejtonte duhet të kujdesej ti bëntë vet të gjitha. Ne nuk donim të kishim një organizatë me lidership të përsosur, por të rinj që nëpërmjet vështirësive, dështimeve përsosin artin e të drejtuarit. E kjo mund të arrihej vetëm duke i lënë këtyre të rinjëve hapësirën dhe pavarësinë e organizimit dhe drejtimit.

Megjithatë, Këshilli nuk do drejtohej në kaos. Ne kishim një Statut dhe hartuam edhe rregullat për funksionimin e Departamenteve (Rregullore) si edhe një Kod Etike me të gjitha rregullat dhe parimet etike të organizatës. Për të mirëadministruar punën hartuam edhe raporte mujore ku bordi kordinohej me departamentet, si edhe mbledhje të përmuajshme të të gjithë anëtarëve të departamenteve në mënyrë që këto njësi të mos mbeteshin “ishuj” të vecuar në aktivitet e tyre.

Nga një organizatë që kishte vetëm një emër në letër, dalëngadalë këta të rinjë filluan ti jepnin asaj një formë, strukturat diku më shpejtë, diku më ngadalë filluan të ngriheshin e të funksiononin. Si cdo gjë që ngrihet nga asgjëja, të rinjtë u hasën me shumë sfida, por janë sfidat ato që formojnë karaktere, zhvillojnë aftësi, kalisin durimin dhe bashkëpunimin midis shoqi-shoq.

Si Presidente e Këshillit Rinor kam patur privilegjin të shijoj miqësinë, krijmtarinë, punën e palodhur, dëshirën për të mësuar dhe gadishmërinë e këtyre të rinjëve për të përmirësuar veten dhe mjedisin ku jetojnë. Jam kënaqur sa herë kam parë të rinj që kanë dalë nga zona e tyre e rehatisë, që kanë marrë inisiativa, që kanë organizuar dhe drejtuar vet aktivitete, pa patur eksperienca të mëparshme menaxheriale.

Si vit i parë jam e lumtur që Këshilli, edhe pse ende foshnje në jetësim, ka mundur të prekë  dhe arrijë edhe të rinj të tjerë me aktivitet që janë  organizuar. Aktivitet për korrupsionin në arsimin e lartë, takimet me të rinj të suksshëm në formatin Youth Talks, hapjen e librarisë së parë publike në natyrë, fushata e njohjes së identitetit dhe trashëgimisë kulturore etj, kanë qënë disa nga nismat e të rinjëve që janë përqafuar nga shumë të rinj të tjerë.

Të gjitha këto, pavarësisht dështimeve, apo listës së gjërave që mund të kishim bërë më mirë, më bëjnë të ndihem shpresë-plotë se rinia e vendit tim ka të gjithë potencialin për të qënë aktor zhvillimi dhe ndikimi pozitiv.

Shume shpejt Keshilli do te kete nje President dhe Bord te ri, te cilet do e cojne perpare edhe me fort ate qe u mboll me dashuri, pune e kembengulje ne kete vit te pare. Ajo që na duhet është të kemi sa më shumë të rinj të pavarur, kompetent dhe me integritet që duan të rrisin veten dhe ti bëjnë mirë komunitetit dhe urojmë që Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane të shërbejë si një nga hëpësirat ku këto cilësi zhvillohen.

Gëzuar 1 vjetorin!

Fjoralba Caka

Presidente e Këshilit Rinor të Ambasadës Amerikane në Shqipëri

 

SHARE
Previous articleKëshilli Rinor dhuron për festat e fundvitit!
Next articleTakim me studentët senator për Kodin e Etikës së UT
Fjoralba Caka
Fjoralba is graduated in Law and works as assistant professor of European Union Law and Internal Market at the Law Faculty, University of Tirana. She is driven and motivated to always bring a change in the environment she lives and works. She believes that competence, integrity and passion are the most important ingredients to lead and impact others. Currently she is the President of the U.S. Embassy Youth Council Albania.

LEAVE A REPLY