mini-biblio-2“Librat janë miqtë më të qetë dhe të qëndrueshëm; ata janë të gjindshëm në çdo kohë, këshillitarë të mençur dhe mësuesit më të durueshëm” – Charles William Eliot.

Kush mund t’a mohojë këtë fuqi që ka libri? Çdo libër të hap një horizont, të sfidon mendjen, të mëson gjëra të reja për të tjerët, për vetën, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Me një libër ti mund të fluturosh në kohë, të jetosh jetët e shumë personazheve, të përjetosh emocione, të njohësh kultura të ndryshme. Librat të zbulojnë realitete të reja, të stimulojnë mendimin, të zhvillojnë fjalorin dhe empatinë, të nxisin imagjinatën dhe krijmtarinë.

Ne duam që sa më shumë të rinj të lexojnë në Shqipëri; që leximi të jetë “trend” i kohës, më tepër sesa koha në kafene. Ne besojmë se me një rini qe lexon sot, do te kemi nje drejtim me te mire neser.

Për këtë arsye, Keshilli Rinor i Ambasades Amerikane ju bashkua nismës së Ministrisë së Kulturës në kuadër të fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” dhe thirrjes për krijimin e mini-bibliotekave të vogla krijuese.

Ne fakt, Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane vendosi të mos marrë pjesë në këtë konkurs të shpallur nga Ministria e Kulturës, por të japë modelin e parë të një mini-biblioteke të tillë.

BookWorm” u quajt këndi i leximit që u krijua nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, tek Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, sapo kalon Amfiteatrin.  Ky kënd u krijua me materiale të cilat nuk e dëmtonin natyrën, si dru, kashtë, tenda, paleta apo goma të vjetra, të cilat ne i ripërdorëm në formën e lisharseve apo stolave. Një ndihmë  të madhe në krijimin e këtij këndi ka dhënë Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila na dha të gjithë mbështetjen teknike dhe logjistike për krijimin e këndit të leximit.

Qëllimi ynë ishte të krijonim një kënd ku kombinohej natyra me leximin, për të krijuar një hapësirë të vecantë për të gjithë të dashuruarit me leximin dhe natyrën.  Megjithatë, ideja e krijimit të një mini-biblioteke në ambjent të hapur, hasi rezistencë fillimisht. Rezistenca më e madhe ishte frika se do e shkaterronin brenda ditës, frika se do e vidhnin natën, se fletët e librave do të përdoreshin për kausha farash etj. Ne vendosëm që të gjitha këto ti lëmë mënjanë, duke e zëvendësuar frikën me një shpresë, që komuniteti do të tregohet i përgjegjshëm dhe mbrojtës për të mirën publike, që atë çka është e mirë, do ta ruajmë bashkërisht.  Së Bashku me arkitekten e re Klaudia Llupo filluam të projektonim dhe realizonim një kënd leximi që do të ishte tërheqës dhe i aksesueshëm për këdo e për çfarëdo moshe. Ne urojmë që të gjithë të rinjtë, e jo vetëm, të mund të shijojnë këtë kënd leximi e të tilla të shtohen në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Ne përgëzojmë Ministrinë e Kulturës për fushatën kombëtare të leximit, Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit për të gjithë mbështetjen teknike në realizimin e këtij projekti dhe Klaudia Llupo për punën e saj të palodhur vullnetare.

Lexim të këndshëm të gjithëve!

LEAVE A REPLY