Me rastin e Ditës së Tokës, Këshilli Rinor u bë pjesë e dy aktiviteteve të ndryshme që kishin qëllim kryesor sensibilizimin e të rinjve për mbrojtjen e mjedisit dhe mënyrat se si mund të ndihmojmë në ruajtjen e tij.
Ditën e Hënë, më 22 Prill, me rastin e Ditës së Tokës, pjesëtarë të Këshillit Rinor së bashku me disa vullnetarë nga Outdoor Ambassadors dhe EcoVolis, u bashkuan në një marshim me bicikleta në Tiranë.
Gjatë marshimit u shpalosën dhe mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit dhe u theksua rëndësia e përdorimit të mjeteve alternative të transportit, si mënyrë shumë efikase për reduktimin e emetimit të gazit karbonik në atmosferë dhe zvogëlimin e “gjurmës së karbonit” që secili prej nesh shkakton në mjedis.
Ndërkohë që ditën e shtunë, më 27 Prill, sërish anëtarë të Këshillit Rinor morën pjesë në një aksion vullnetar pastrimi në plazhin dhe pyllin e Darëzezës në Fier. Aksioni mblodhi bashkë disa organizata rinore dhe rreth 250 vullnetarë. Në përfundim të aksionit të pastrimit, pjesëmarrësit organizuan dhe një vizitë në qytetin antik të Apollonisë.

Mbajtja e një mjedisi të pastër, të sigurtë dhe të jetueshëm për banorët është detyra e secilit prej nesh.